Këngëtarja e njohur Vesa Luma ka reaguar publikisht ndaj fenomenit të lojës online “Roblox”, e cila është bërë një ndër më të përhapurat tek fëmijët, por që sipas saj fsheh rreziqe serioze.
Në një postim në Instagram, Vesa ndau një video shpjeguese mbi ndikimin negativ të lojës, duke treguar edhe përvojën e saj personale me djalin, Lianin. Ajo rrëfeu se djali kishte qëndruar për disa ditë në botën virtuale të “Roblox”-it, derisa e kuptoi vetë se loja kishte përmbajtje të dëmshme.
“O Zot, faleminderit që më ke bërë atë nënën që disa e ‘përqeshin’ se i rri shumë gati djalit. Liani qëndroi vetëm disa ditë në Roblox, derisa e bëmë të kuptojë që është e keqe si lojë për të. Është alarmante situata”, shkroi artistja.

Ky reagim është pritur si një thirrje për ndërgjegjësim prindëror, pasi “Roblox”, ndonëse shfaqet si një lojë argëtuese dhe kreative, shpesh përmban rreziqe të fshehura, si skena të papërshtatshme, komunikime me persona të panjohur dhe varësi digjitale.


