Prokuroria e Apelit ka shpallur pretencën për dy mjekët, të akuzuar lidhur me vdekjen e Doriana Hakës, bashkëshortes së ish-portierit të Partizanit, Alban Hoxha, nëntorin e 2014, dy javë pas lindjes së fëmijës së parë.
Për Petrit Rexhepin, gjinekolog, Prokuroria kërkoi 9 muaj burgim, por për shkak të moshës mbi 70 vjeç u propozua pezullimi i ekzekutimit të vendimit dhe vënia në shërbim prove për 18 muaj, gjatë të cilëve ai duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë asnjë vepër penale. Po ashtu, Prokuroria kërkoi pezullimin e licencës së mjekut për 5 vite, duke mos lejuar ushtrimin e profesionit.
Ndërkohë, për reanimatoren Elona Burba, u kërkua 1 vit burgim dhe heqja e licencës për 5 vite.
Seanca e radhës është caktuar për 10 nëntor, ku mjekët do të paraqesin argumentet e tyre të mbrojtjes. Pas më shumë se një dekade pritjeje, prindërit e Doriana Hakës do të mësojnë verdiktin e drejtësisë, ndërsa familja vazhdon të akuzojë mjekët si përgjegjës për humbjen e jetës së të ndjerës.


