Detaje të reja kanë dalë në pah nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Sokolac në Bijelo Polje ku mbetën të vrarë motër e vëlla.
Burimet e huaja bëjnë me dije se autori i dyshuar i krimit është 62-vjeçari Alija Balijagiç, me precedentë të shumë penalë, përfshirë përdhunim.
Siç dhe ju kemi raportuar më herët, trupat e viktimave janë gjetur në shtëpinë e tyre, ndërsa sipas deklaratës së Drejtorisë Policore të Malit të Zi, vrasësi është në arrati.
Sipas RTCG, policia ishte në ndjekje të të dyshuarit, i cili ishte prej 15 ditësh në kërkim pasi kishte vjedhur një pushkë.
Nga hetimet e bëra rezulton se në vitin 2016, autori i dyshuar i krimit Balijagiç ishte dënuar për përdhunim.
Ai u dënua në Gjykatën e Lartë të Bijelo Polje me 7 vjet burg, pasi përdhunoi një grua 76-vjeçare më 30 tetor 2015, në një vendbanim periferik në Bijelo Polje.
“Nuk ka asnjë gjurmë të ADN-së sime”, pohoi ai gjatë gjyqit. Në aktakuzë thuhet se më 30 tetor 2015, rreth orës 19:00, në Ljeshnicë, ai ka sulmuar 76-vjeçaren duke përdorur forcën dhe duke e kërcënuar me vdekje.
“Kur gruaja ka rezistuar dhe e ka goditur me grusht në fytyrë, me elektrik dore dhe më pas e ka kërcënuar t’i hiqte rrobat përndryshe do ta vriste. Duke dalë nga shtëpia i ka nxjerrë një thikë dhe e ka kërcënuar: “Mos i thuaj askujt, mos e denonco, nëse nuk e bën, nuk do të vij më tek ti, dhe po të tregosh, do të vij të të ther në mes të shtëpisë” , thuhet në aktgjykim.
Sipas portalit PV, në nëntor të 2015, gjatë një grabitjeje, Balijagiç mori një armë nga një prej shtëpive në fshat ndërkohë qëpronarët ishin duke fjetur dhe dyshohet se ka kryer disa vjedhje në Banji Selo, Oklad dhe Pavino Polje.
Në një rast ai qëlloi në drejtim të policisë, ndërsa është mbrojtur duke thënë se ka qëlluar aksidentalisht nga një pushkë teksa po i afroheshin.
Balijagiçi njihet si bandit për shkak të plaçkitjeve dhe vjedhjeve që ka kryer, ndërsa ka kaluar rreth dy dekada në burg.


