Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryetari Erion Veliaj iu referua vajtjes së tij sot në SPAK, duke dhënë një shpjegim të detajuar lidhur me çështjen e fundit.
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se denoncimi ndaj tij ishte bërë në mënyrë anonime nga një emër i sajuar, “Nesti Angoni”, që sipas tij nuk përfaqëson një qytetar të vërtetë. Ai e cilësoi këtë si një përpjekje për të hedhur baltë përmes metodave të ulëta të kulturës linçuese.
“Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni që është një qytetar që nuk ekziston për të na kthyer mallin e letrave anonime, unë e kuptoj që disa njerëz që nuk na mundin dot në betejë, që nuk na mundin dot në zgjedhje janë kthyer në zanatin e letrave anonime. Nesti Angoni nuk ekziston, të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti përfaqëson, çfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil dhe megjithatë duke qenë se kryetari i bashkisë ka në zotërim të gjithë regjistrin civil dhe mund të verifikojë qartazi që është një kurth i sajuar, kam qenë bashkëpunues”, u shpreh Veliaj.
Duke folur për bashkëpunimin e tij me organet e drejtësisë, ai theksoi se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se gjithçka është e verifikueshme.
“E di gjithë Tirana se ku jetoj unë, e di gjithë Tirana se ku banoj unë, ku isha para zgjedhjeve, ku vazhdoj pas zgjedhjeve, dhe ku do jem deri në fund të kësaj detyre. Unë hyj te ajo racë politikanësh që nuk i thotë SPAK-ut, skap kur s’i intereson dhe SPAK kur i intereson për kundërshtarët e vetë”, tha kryebashkiaku.
Veliaj theksoi se pavarësisht letrave anonime apo kurtheve politike, ai do të vazhdojë angazhimin e tij me transparencë dhe besim në mbështetjen e qytetarëve të Tiranës.
“Nuk kam bërë antiprotesta, nuk kam bërë letra anonime, se vij nga një brez jo i letrave anonime dhe as nuk i them SPAK-ut “plaç” kur shkon dhe me letra anonime mundohet. Këtu do jemi, në maj do ju mundim me gjithë letrat anonime, me gjithë kurthet dhe me gjithë klithmat e hienave, këtu do jemi dhe do shikoni ku është populli”, nënvizoi Veliaj.


