Rreth 480 persona humbën jetën në Holandë gjatë valës së pazakontë të të nxehtit që goditi vendin javën e kaluar. Lajmi u bë i ditur nga autoritetet shëndetësore holandeze, të cituara nga Reuters.
Sipas të dhënave zyrtare, vdekjet shtesë u regjistruan gjatë periudhës 22–28 qershor dhe prekën kryesisht personat mbi 80 vjeç. Zonat më të goditura ishin jugu dhe lindja e vendit, ku temperaturat shënuan vlerat më të larta.
Gjatë kësaj periudhe, Holanda përjetoi temperatura rekord për muajin qershor, të cilat iu afruan 40 gradëve Celsius.
Ndërkohë, edhe Franca ka raportuar më herët të paktën 1 000 viktima të lidhura me të nxehtin ekstrem, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se numri përfundimtar i viktimave mund të rritet.
Sipas shkencëtarëve, vala e të nxehtit që përfshiu Evropën duke nisur nga 20 qershori konsiderohet më intensivja e regjistruar ndonjëherë në kontinent, duke shtuar ndjeshëm rrezikun për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit dhe grupet më të cenueshme.


