Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore që burojnë nga Kapitulli 15 i Bashkimit Evropian për energjinë, pas miratimit të ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike.
Gjatë Ministerialit të Komunitetit të Energjisë, të mbajtur në Prishtinë, Karakaçi tha se, me përmbylljen e kësaj pakete ligjore, Shqipëria dhe Mali i Zi janë ndër vendet e rajonit që kanë harmonizuar plotësisht legjislacionin e sektorit energjetik me kërkesat e Bashkimit Evropian.
“Shqipëria ka miratuar ligjin për sektorin e energjisë elektrike, duke përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Kapitulli 15 i BE-së. Ky zhvillim e vendos vendin tonë në një pozicion të avancuar krahasuar me shtetet e tjera të rajonit”, u shpreh ministri.
Karakaçi bëri të ditur gjithashtu se mbi 10% e energjisë elektrike të prodhuar në Shqipëri vjen tashmë nga burimet diellore. Ai theksoi se gjatë muajve të verës ka pasur ditë kur kaskada e Drinit nuk ka qenë në punë, për shkak të nivelit të lartë të prodhimit nga impiantet fotovoltaike.
Sipas tij, në vend janë aktualisht rreth 650 megavat kapacitete të instaluara nga energjia diellore, ndërsa projekte të reja për energjinë diellore dhe atë të erës janë në fazë vlerësimi dhe zhvillimi.
Në fjalën e tij, ministri i bëri thirrje Bashkimit Evropian të përshpejtojë mekanizmat financiarë për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se investimet në interkonjeksionet energjetike janë thelbësore për rritjen e përdorimit të energjisë së rinovueshme dhe forcimin e sigurisë energjetike.
Karakaçi nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në sektorin e energjisë, duke theksuar se Shqipëria mbetet e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin me vendet fqinje dhe partnerët evropianë, me synim garantimin e një sistemi energjetik më të qëndrueshëm dhe më të sigurt për të gjithë rajonin.


