Autoriteti Rrugor Shtetëror (ARRSH) ka njoftuar se të premten, më 3 korrik, në kuadër të punimeve për ndërtimin e Bypass-it të Sarandës, do të kryhet një shpërthim i kontrolluar me sasi të vogla eksplozivi pranë fshatit Shën Vasil, në afërsi të guroreve Volloder.
Sipas njoftimit zyrtar, procesi do të zhvillohet nga ora 16:00 deri në 17:00 dhe ka si qëllim hapjen e trasesë së rrugës.
“Ditën e nesërme, më 03.07.2026, duke filluar nga ora 16:00 deri në orën 17:00, në kuadër të punimeve për ndërtimin e Bypass-it të Sarandës, pranë fshatit Shën Vasil (në afërsi të guroreve Volloder), do të kryhet një shpërthim i kontrolluar me sasi të vogla eksplozivi, në funksion të hapjes së trasesë së rrugës”, thuhet në njoftimin e ARRSH.
Autoriteti bën të ditur se punimet janë koordinuar me Policinë e Shtetit, e cila do të marrë masat e nevojshme për menaxhimin e trafikut dhe garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të procesit.
ARRSH u ka bërë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve për mirëkuptim gjatë kohës së ndërhyrjes, deri në përfundimin e punimeve.


