Një djalë 11-vjeçar nga Anglia ka bërë një zbulim të rrallë teksa po shëtiste në plazh, duke gjetur një fosil që i përket një elefanti të lashtë që ka jetuar rreth 1.8 milion vjet më parë.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Fox News, Charlie Orchard-Lysle e gjeti objektin në maj në plazhin East Lane, pranë fshatit Bodsey në Suffolk, jo shumë larg Ipswich-it.
Fosili u identifikua më vonë si një molar i sipërm i majtë me gjerësi rreth 10 centimetra, që i përkiste species së zhdukur Anancus arvernensis, një i afërm i hershëm i elefantëve modernë, përfshirë elefantin afrikan të savanës.
Sipas ekspertëve, dhëmbi është ruajtur për miliona vite përmes procesit të mineralizimit, ndërsa smalti i tij mbetet ende i dukshëm.
Nëna e djalit, Ellen Orchard-Lysle, tregoi se familja e kuptoi menjëherë se nuk bëhej fjalë për një gur të zakonshëm, por për diçka të pazakontë. Ajo tha se momenti i zbulimit ishte krejt i rastësishëm, ndërsa ecur në bregdet vunë re objektin pranë valëve.
Familja beson se fosili mund të ketë rënë nga formacioni gjeologjik i njohur si “Red Crag”, i pasur me mbetje të lashta, dhe është nxjerrë në sipërfaqe nga erozioni natyror i bregdetit.
Zbulimi i 11-vjeçarit është një tjetër rast i rrallë i gjetjeve të rastësishme arkeologjike nga fëmijë, ngjashëm me raste të tjera të raportuara së fundmi në Evropë.


