Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka reaguar pas përjashtimit nga listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare, duke akuzuar drejtuesit e partisë për vendime të padrejta dhe mungesë kriteresh meritokracie.
Sula deklaroi se e vetmja kërkesë e tij ishte largimi nga lista i kryetarit të PD-së në Peqin, për të shmangur garën mes tre kandidatëve të djathtë në të njëjtën zonë.
“PD duhet të kuptojë që të ndërrojë popullin, sepse e ka fajin populli, jo drejtuesit e PD-së. Kriteri i vetëm është që të jesh lëpirës. Unë lëpirës nuk bëhem dot. S’e kam bërë që në 2005-ën. Sa të jem nuk do i mashtroj demokratët, vetëm do i ndihmoj.
Jam i trishtuar, jam i acaruar, i shqetësuar, i xhindosur, i tmerruar nga çmenduria jonë. Rama atë detyrë ka, të fitojë zgjedhjen. Ku jemi ne?! Duhet ta shohim njëherë veten në pasqyrë.
Unë kërkova të jem në listë të hapur dhe aty nuk më vendosën. Për kokën e djalit. I thanë për emrin tim që ta fshinin. I kërkova vetëm një kusht, që kandidati në Peqin të ikte se ishim tre të djathtë aty. Në 2017 kur nuk kandidoja unë, Peqini përfundoi 2900 vota. Në 2021 kur kandidova, Peqini shkoi 9200 vota.
Kemi kërkuar vetëm një kusht. Të largohej kryetari i PD-së aty që u bë kandidat. Sepse s’do ishim tre veta aty me një tokë,” deklaroi Sula.


