Altin Ndoci, i shpallur në kërkim që prej 13 janarit dhe aktualisht në arrati, është përmendur në seancat gjyqësore të dosjes “Plumbi i Artë”, ku të pandehurit kanë rrëfyer për planet e pretenduara për eliminimin e tij.
Gjatë dëshmisë në gjykatë, Henrik Hoxha – i cili ka humbur statusin e të penduarit – deklaroi se kishte marrë porosi për vrasjen e Ndocit. Sipas tij, porosia ishte dhënë nga Erjon Alibej, i akuzuar në të njëjtin fashikull të SPAK dhe njëherazi dëshmitar i drejtësisë.
Hoxha tha se tentativa e parë për ekzekutimin e Ndocit kishte dështuar për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19.
“Bije shumë në sy”, u shpreh ai, duke nënkuptuar se ekspozimi i lartë e bënte të vështirë realizimin e planit.
Sipas dëshmisë së tij, një tjetër plan ishte diskutuar pas arrestimit të Ndocit.
“Ne jemi interesuar për ta vrarë Altin Ndocin me snajper brenda në burg. Nuredini e diskutonte me mua. Ishte në ëndrrat e Nuredinit, por nuk e kemi realizuar”, deklaroi Hoxha në sallën e gjyqit.
Henrik Hoxha është nën akuzë për disa ngjarje kriminale të zbardhura në kuadër të hetimeve të dosjes “Plumbi i Artë”, ku një rol kyç kanë pasur dëshmitë e të penduarve të drejtësisë, përfshirë Nuredin Dumanin dhe Skerdi Tasen.
Ai pranoi gjithashtu pjesëmarrjen në vrasjen e Dorian Shkozës, krim që sipas tij ishte porositur nga Erjon Alibej, i njohur nga të pandehurit me nofkën “Krymi”.
Në seancën e fundit, Alibej ka ngritur pyetje edhe lidhur me vrasjen e Olti Kilës. Hoxha deklaroi se nuk kishte dijeni mbi motivet, por shtoi se në një rast planet ishin diskutuar përmes aplikacioneve të komunikimit.
Dosja “Plumbi i Artë”, me tre dëshmitarët e drejtësisë – Nuredin Dumani, Erjon Alibej dhe Skerdi Tase – ka nxjerrë në dritë një sërë vrasjesh dhe përplasjesh mes grupeve kriminale në Elbasan.


