Dy shtetas shqiptarë, Artur Mëhilli dhe Arben Mëhilli, janë arrestuar në Itali pasi rezultonin të dënuar për një vrasje të kryer në vitin 1999 në Lushnje, si akt hakmarrjeje familjare.
Sipas njoftimit të Policia e Shtetit, dy vëllezërit ishin në kërkim ndërkombëtar dhe jetonin prej vitesh në Itali me identitete të ndryshuara, pas arratisjes nga Shqipëria menjëherë pas ngjarjes.
Hetimet tregojnë se ngjarja e vitit 1999 lidhej me një hakmarrje të drejtpërdrejtë, pasi viktima, Rezar Metaj, kishte vrarë më herët në vitin 1997 vëllanë e tyre, Sokol Mëhilli.
Autoritetet thonë se identifikimi i tyre u bë përmes bashkëpunimit mes Interpolit në Tiranë dhe autoriteteve italiane, duke krahasuar fotografi të vjetra me të dhëna të reja biometrike dhe raportime familjare në zonën ku ata jetonin.
Dy vëllezërit, tashmë në moshë 60 dhe 54 vjeç, ishin dënuar me rreth 32 vite burg për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Pas arrestimit, pritet nisja e procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje edhe historinë e familjes Mëhilli, pasi dy të arrestuarit, Artur dhe Arben Mëhilli, janë xhaxhallarët e gazetarit dhe ish-konkurentit të “Big Brother VIP”, Stenaldo Mëhilli.
Pra, Stenaldo Mëhilli është nipi i tyre. Ai ka rrëfyer më herët në programin Big Brother VIP Albania plagët e rënda familjare, përfshirë vrasjen e babait të tij kur ishte vetëm një muajsh.
Në deklarimet e tij publike, Stenaldo ka folur për humbjen tragjike që ka shoqëruar familjen e tij prej dekadash, duke e lidhur atë me ngjarjet e dhunshme të së kaluarës në Lushnje.


