Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka publikuar mesazhin e komisioneres për Zgjerim të BE, Marta Kos, e cila ka komentuar zhvillimet e fundit në Shqipëri, ku prej më shumë se dy javë mijëra shqiptarë kanë dalë në shesh duke kërkuar largimin e Ramës.
Shefi i qeverisë thotë se “Komisioni Europian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ lidhur me Sazanin e Zvërnecin dhe vetë Komisionerja Marta Kos ka folur qartë për të gjithë ata që duan t’i referohen fakteve”.
Nga ana tjetër Marta Kos, e pyetur në lidhje me projektet turistike në zonën e Zvërnecit ka deklaruar se kanë marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të zbatojë standardet e BE, ndërsa theksoi se KE do të verifikojë nëse janë zbatuar standardet përkatëse.
“Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare, jo vetëm me kryeministrin Rama. Sa i përket projektit Pishporo- Nartë, ashtu si të gjitha projektet e tjera në zhvillim në Shqipëri, ai duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe me standardet e përcaktuara në kapitullin e mjedisit, sic e përmendët edhe ju, Kapitulli 27 i procesit të anëtarësimit. Ky kapitull është i hapur. Përpara se mund të mbyllet situata do të duhet të sqarohet plotësisht, ndërsa mbyllja e tij aktualisht parashikohet deri në fund të 2027. Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse standardet përkatëse janë përmbushur, nëse ato përmbushen. Deri atëherë ne i inkurajojmë autoritetet shqiptare të vazhdojnë të ndërmarrin hapat që mbështesin përmbushjen e standardeve të mbylljes së kapitullit dhe ndihmojmë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën e saj europiane. Ne kemi marrë garanci nga Qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet europiane të mjedisit do të respektohen. Fakti që kjo po ndodh ndërkohë që Shqipëria po kalon procesin e anëtarësimit është e rëndësishme. Ky proces është juridikisht dhe politikisht detyrues dhe i nënshtrohet një monitorimi dhe vlerësimi të vazhdueshëm. Prandaj ai përbën garancinë më të fortë që natyra dhe mjedisi në Shqipëri do të mbrohen në përputhje me standardet europiane.”– tha Kos.
Ndërkohë lidhur me protestat, Kos deklaroi se ato janë një e drejtë themelore dhe për ketë ndihej e lumtur që kjo e drejtë po zbatohej në Shqipëri.
“Ju e dini sa i rëndësishëm është për ne e drejta për të protestuar. Ajo është një e drejtë themelore në BE dhe për të gjithë vendet që synojnë të bëhen pjesë e tij. Jam e lumtur të shoh se kjo e drejtë respektohet në Shqipëri.”- deklaroi komisionerja Kos./Radar.al


