Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar publikisht këngëtaren Beyoncé dhe disa figura të tjera të famshme se janë paguar “në mënyrë të paligjshme” gjatë fushatës presidenciale të Kamala Harris në 2024. Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump kërkoi ndjekje penale për artistët që mbështetën Harris gjatë zgjedhjeve.
“Demokratët kanë paguar miliona për mbështetje. Beyoncé mori, ndoshta në mënyrë të paligjshme, 11 milionë dollarë për një MBIKËQYRJE (ajo nuk këndoi asnjë notë!) dhe u largua nga skena me audiencë të zemëruar. Tre milionë për Oprah, qindra mijëra për Al Sharpton… një turp total”, shkroi Trump.
Mediat amerikane raportojnë se fushata e Harris shpenzoi fonde për organizimin e eventeve ku morën pjesë emra të mëdhenj të artit, përfshirë Beyoncé, Oprah dhe Lady Gaga. Megjithatë, sipas të dhënave financiare të publikuara zyrtarisht, pagesat kanë shkuar për logjistikën dhe prodhimin e tubimeve, jo për artistët.
Beyoncé mbajti një fjalim pro të drejtave riprodhuese në një nga eventet e Harris dhe kënga e saj “Freedom” u bë himni zyrtar i fushatës. Më parë, këngëtarja kishte paralajmëruar ekipin e Trump për përdorim të paautorizuar të muzikës së saj në një video të fushatës republikane, duke e acaruar edhe më shumë përplasjen mes tyre.
Trump ka thënë se “do të ishte një precedent i rrezikshëm” të mos hetoheshin këto pagesa, duke e cilësuar rastin si “skandal financiar të përmasave historike”. Deri tani, as Beyoncé dhe as ekipi i Harris nuk kanë komentuar mbi deklaratat e fundit të presidentit amerikan.


