Presidenti amerikan Donald Trump dha deklarata me tone të ashpra lidhur me marrëdhëniet e SHBA me aleatët dhe mundësinë e tërheqjes nga NATO, gjatë një sesioni pyetjesh për gazetarët në Zyrën Ovale. Ai përsëriti vijën e ashpër që kishte mbajtur më herët në platformën e tij Truth Social, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për ndihmën e aleatëve.
“Ne nuk kemi nevojë për asnjë ndihmë. Mendoj se NATO po bën një gabim shumë të madh,” deklaroi Trump, duke shtuar se ka pasur prej kohësh dyshime nëse Aleanca do të qëndronte pranë SHBA-së në një moment kritik. “Gjithmonë kam pyetur veten nëse NATO do të ishte aty për ne. Ky është një test i madh, sepse ne nuk kemi nevojë për ta. Ata duhej të ishin aty,” shtoi ai.
I pyetur nëse do të rishqyrtonte pjesëmarrjen e SHBA në NATO, Trump la të hapur mundësinë e tërheqjes, duke theksuar se vendimi do të ishte personal dhe nuk do të kërkonte miratimin e Kongresit: “Kemi shpenzuar triliona dollarë ndër vite dhe kemi marrë deficite në ekonominë tonë. Nëse nuk na ndihmojnë, do ta mendojmë. Është diçka që do ta vendos vetë.”
Trump gjithashtu përmendi rolin e SHBA në mbështetjen e Ukrainës, duke thënë se pa ndihmën amerikane, vendi do të kishte rënë “brenda një dite”. Ai nënvizoi se amerikanët kanë ofruar pajisjet më të mira në botë dhe qindra miliarda dollarë. Ai hodhi poshtë edhe paralajmërimet nga Irani për një “Vietnam të ri”, duke u shprehur kategorikisht: “Jo, nuk kam frikë – në fakt nuk kam frikë nga asgjë.”
Presidenti amerikan nuk la pa kritikuar edhe kryeministrin britanik Keir Starmer, duke e krahasuar negativisht me Winston Churchill: “Fatkeqësisht, Keir nuk është Winston Churchill”. Ai tha se kishte kërkuar ndihmë të kufizuar ushtarake nga Britania e Madhe, duke theksuar se nuk kishte nevojë për aeroplanmbajtëse, por vetëm për disa anije çminuese, dhe se përgjigjja britanike kishte ardhur me vonesë.


