Fitim Dumani, vëllai i vogël i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, ka hedhur dritë mbi disa nga krimet më të bujshme ku është përfshirë familja e tij. Në një rrëfim për emisionin MaShqip, ai ka dhënë emra dhe detaje për atentate e vrasje, duke përfshirë edhe ngjarjen e tritolit ndaj motrave në Elbasan, që sipas tij u krye nga Suel Çela dhe njerëzit e tij.
Fitimi, i liruar pak muaj më parë nga burgu, thotë se vëllai i tij Nuredini nuk ka qenë “ushtar” i ndonjë grupi kriminal, por një vrasës me pagesë që punonte për grupe të ndryshme. Ai tregon për të kaluarën e vëllait – nga punëtor ndërtimi dhe shitës frutash deri te grabitjet e vrasjet me porosi.
Në dëshmitë e tij, Nuredini përfshin edhe vëllain tjetër, Dashnor Dumanin, i cili nuk ka pranuar ende të bashkëpunojë me drejtësinë. Fitimi ndërkohë sjell detaje për marrëdhëniet dhe armiqësitë me Talo Çelën, për vrasjet e kryera bashkë, si dhe për atentatin ku Suel Çela dhe vëllezërit Çopja i bënë pritë Nuredinit.
Sipas tij, ekzekutimi i Talo Çelës është kryer nga vëllezërit Hajdar e Franc Çopja, të cilët “e vranë nga frika se mund të fliste nëse kapej nga policia”. Ai akuzon gjithashtu SPAK-un për “drejtësi selektive” dhe për “show mediatik”, duke thënë se dëshmitarë si Erjon Alibeaj nuk kanë vlerë pasi bazohen vetëm në thashetheme.
Fitim Dumani shton se Nuredini përdorte drogë vetëm gjatë atentateve dhe se kishte punuar për të gjitha grupet kriminale në vend.


