Tregu i shërbimeve postare u zgjerua vitin e kaluar dhe volumi i tij arriti vlerën më të lartë historike. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ofruesit e shërbimeve postare vitin e kaluar raportuan të ardhura në vlerën e 4.1 miliardë lekëve, në rritje me 48.6% në raport me vitin 2024.
Analizat e AKEP tregojnë se kërkesa në tregun e shërbimeve postare po zhvendoset drejt shërbimeve me kohë të shpejtë dorëzimi dhe me vlerë më të lartë për njësi shërbimi.
Rritja e të ardhurave është drejtpërdrejt e lidhur me këtë ndryshim të strukturës së volumit. Edhe pse numri i objekteve në segmentin tradicional është në rënie, të ardhurat rriten për shkak të peshës në rritje të shërbimeve ekspres dhe pakove postare, të cilat kanë çmime më të larta dhe krijojnë më shumë vlerë të shtuar.
Volumi i shërbimit universal postar ka pësuar rënie, me një tkurrje rreth 10% në total, ku posta brenda vendit dhe ajo ndërkombëtare shënojnë rënie respektivisht rreth 10% dhe 19%.
Kjo tendencë reflekton ndikimin e drejtpërdrejtë të dixhitalizimit dhe zëvendësimit të komunikimit tradicional fizik me forma elektronike. Në të njëjtën kohë, shërbimet ekspres kanë shënuar rritje të qëndrueshme, me rreth 17% në total dhe me një performancë edhe më të fortë në segmentin ndërkombëtar, duke arritur deri në 32%.
AKEP vlerëson se tregu po kalon nga një model i bazuar në volum të lartë dhe të ardhura të ulëta për njësi, drejt një modeli ku, edhe me volum relativisht më të moderuar, gjenerohen të ardhura më të larta për shkak të natyrës së shërbimeve.
Megjithëse tregu dominohet nga disa aktorë kryesorë, ekziston ende një nivel i caktuar fragmentimi në segmentet periferike. Kjo strukturë tregon një treg në fazë konsolidimi, ku operatorët me kapacitete më të mëdha dhe rrjete më të zhvilluara po rrisin gradualisht pjesën e tyre.
Posta Shqiptare kryesoi edhe në 2025, me rreth 33.7% të tregut, duke reflektuar rolin e saj si ofrues i shërbimit universal dhe praninë e gjerë territoriale. Megjithatë, pjesa e saj e tregut ka pësuar rënie me afërsisht dy pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa shërbimi universal, që përbën bazën tradicionale të aktivitetit të Postës Shqiptare, është në rënie, shërbimet ekspres dhe ato jo-universale po rriten, duke treguar një orientim gradual drejt segmenteve më dinamike të tregut. Megjithatë, kjo zhvendosje nuk ka arritur ende të kompensojë plotësisht rënien e volumit tradicional, çka shpjegon edhe rënien e të ardhurave dhe humbjen e peshës relative në treg. Ndërkohë, operatorët e tjerë postarë kanë zgjeruar ndjeshëm aktivitetin në segmentin e shërbimit jo-universal dhe ekspres, duke rritur volumin e dërgesave të pakove postare, veçanërisht atyre të lidhura me tregtinë elektronike.
Ky zgjerim është shoqëruar edhe me zhvillimin e rrjeteve të shpërndarjes, përmirësimin e kapaciteteve logjistike dhe rritjen e efikasitetit operacional, duke rritur ndjeshëm aftësinë e tregut për të përballuar kërkesën në rritje për shërbime të shpejta dhe fleksibël.
Ndër operatorët privatë, DHL International (Albania) ka shënuar një rritje të konsiderueshme dhe për vitin 2025 zë një peshë të konsiderueshme prej rreth 28.2% të të ardhurave, çka tregon zhvillimin e segmentit të shërbimeve ekspres dhe ndërkombëtare, të lidhura ngushtë me rritjen e tregtisë dhe logjistikës.
Operatorë të tjerë si Ultra C.E.P., me 7.6% dhe United Transport (Uni Trans), me 7.5%, mbajnë një pozicion të ndërmjetëm në treg, ndërsa Albanian Delivery Express, me 5.2% ka një pjesë më të kufizuar, por gjithsesi të qëndrueshme. Pjesa e mbetur prej 17.8% i përket operatorëve më të vegjël.
Sipas AKEP, gjatë vitit 2025 sipërmarrësit e ofrimeve postare kanë raportuar investime prej rreth 326 milionë lekësh në përmirësimin e infrastrukturës së ofrimit të shërbimeve postare. Investimet janë rritur me 9% krahasuar me vitin 2024. Pjesa më e madhe e investimeve është kryer nga Posta Shqiptare me rreth 30.7% të totalit./Monitor


