Nedim Bajrami, kohët e fundit u mësua se do të luajë në kampionatin skocez për 3 vitet e ardhshme, pasi Sasuolo ka vendosur ta shesë për 4 milionë euro te Gllasgou Rejnxhërs.
Kontrata e lojtarit kuqezi me ekipin e madh skocez është deri në vitin 2027. Lëvizja është konfirmuar nga vetë klubi në faqen zyrtare.
Evidentohet fakti që mesfushori kuqezi luajti në “Euro 2024″ dhe që në 100 ndeshje në Serinë A ka dhënë 11 asiste. Lojtari shqiptar ka luajtur në Itali fillimisht me Empolin, për të kaluar më pas te Sasuolo në janar të 2022-shit dhe gjatë kësaj kohe ka shënuar 4 gola në 49 ndeshje me ekipin që ra në Serinë B. Për Bajramin kishte edhe oferta të tjera, por skocezët kanë plotësuar kërkesat e Sasuolos.
“Jam i kënaqur që i bashkohem një klubi të madhësisë së Rejnxhërs. Ata janë një klub i njohur në mbarë botën, të cilët kanë fituar shumë trofe dhe kanë konkurruar në një finale evropiane vitet e fundit. Kam pasur disa biseda të mira me trajnerin dhe besoj se Rejnxhërs është lëvizja e duhur për mua në këtë pikë të karrierës sime. Mezi pres të takoj të gjithë bashkëlojtarët dhe tifozët e mi të rinj në të ardhmen e afërt”, deklaroi Bajrami.


