BRITANI– Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Britaninë e Madhe, ku në një banesë, në Surrey, janë të vdekur tre fëmijë dhe një burrë.
Siç shkruajnë mediat e huaja, policia u thirr nga shërbimi i ambulancës në Bregun Juglindor në një pronë në Bremer Road, Staines-upon-Thames, rreth orës 13:15 të së shtunës.
Pas mbërritjes në lokacion, tre fëmijë dhe një burrë u gjetën pa shenja jete. Policia e Surrey deklaroi se kishin nisur menjëherë hetimet lidhur me shkaqet dhe përcaktimin e rrethanave të vdekjes së tyre. Nga informacionet e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur pa përfshirje të palëve të treta. Rruga ku ndodhet banesa është e bllokuar.
“Kjo është një humbje tragjike e jetës në komunitetin tonë dhe ne po punojmë për të përcaktuar saktësisht se çfarë ka ndodhur. Aktualisht ka një prani të konsiderueshme të policisë në vendndodhje dhe në zonën përreth, dhe ne dëshirojmë të falënderojmë banorët lokalë për durimin dhe mirëkuptimin e tyre ndërsa ne kryejmë hetimin tonë.”- Kryeinspektorja Lucy Sanders./SKYNEWS


