Kryeministri Edi Rama reagoi sërish ndaj atyre personave me agjenda të caktuara, që sipas tij duan të përfitojnë nga protesta.
Në një postim në rrjetet sociale Rama publikoi foton e një gruaje që bën thirrje për rrëzimin e qeverisë por qëllimi i vërtetë është diçka tjetër.
“Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruan Rama.
Rama dhe një herë thekson se nuk ka asgjë kundër protestave qytetare, por nuk mund të tolerojë persona që nxisin urrejtje.
“Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë”, shkruan Rama.
Më herët, kreu i qeverisë postoi edhe mesazhin e një qytetari, i cili i kërkonte të mos e jepte dorëheqjen.


