Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi, ku një vajzë 14-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën pas një rënieje tragjike nga një urë në qytetin e Katerinit.
Sipas mediave greke, e mitura ra nga një lartësi prej rreth 10 metrash të dielën në mbrëmje, duke pësuar dëmtime të rënda. Fillimisht ajo u dërgua me urgjencë në spitalin lokal të Katerinit, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, u transferua në Selanik, fillimisht në spitalin “G. Gennimatas” dhe më pas në “Ippokrateio”.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të mjekëve, vajza ndërroi jetë mbrëmjen e së hënës, duke lënë pas dhimbje të thellë te familja dhe komuniteti.
Autoritetet greke kanë nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e sakta të ngjarjes. Deri më tani është përjashtuar mundësia e një akti kriminal, por mbeten ende të paqarta detajet se si ndodhi rënia fatale nga ura.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa komuniteti shqiptar në Greqi dhe më gjerë shpreh dhimbje dhe solidaritet me familjen e vajzës në këtë moment të trishtë.


