Policia e Cërrikut ka arrestuar në flagrancë një 60-vjeçar, i identifikuar si D. K., për shkelje të masës së sigurisë së vendosur nga Gjykata e Elbasanit.
Sipas njoftimit zyrtar, D. K. kishte masën “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Dhuna në familje”, por ka shkuar në banesën e së motrës, e cila ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj tij. Ky veprim përbën shkelje të rëndë të masës së sigurisë dhe ka çuar menjëherë në arrestimin e tij.
Në një operacion tjetër, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaluan edhe 34-vjeçarin A. M., banues në Cërrik, i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Elbasanit e kishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.


