Një turist 45-vjeçar me shtetësi rumune është shpëtuar nga Policia e Dhërmiut dhe forcat zjarrfikëse, pasi mbeti i bllokuar në thellësi të Kanioneve të Gjipesë për shkak të një dëmtimi në këmbë.
Sipas Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, u nisën drejt zonës për t’i ardhur në ndihmë turistit.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe rrezikshmërisë së lartë, ekipet e shpëtimit përdorën pajisje të specializuara për kërkim-shpëtim, duke bërë të mundur nxjerrjen e sigurt të 45-vjeçarit nga vendi ku kishte mbetur i bllokuar.
Më pas, ai u transportua në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas autoriteteve, turisti ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
45-vjeçari ka falënderuar efektivët e Policisë dhe forcat zjarrfikëse për ndërhyrjen e shpejtë, e cila bëri të mundur shpëtimin e tij.


