Një tërmet me magnitudë 7.4 të shkallës Rihter goditi të premten jugun e Meksikës, duke shkaktuar alarm në zonat pranë bregdetit të Paqësorit. Lëkundja e fortë u regjistrua pranë qytetit Puerto Madero, në shtetin Chiapas, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS).
Sipas të dhënave paraprake të USGS-së, epiqendra e tërmetit ndodhej në një thellësi prej rreth 10 kilometrash, çka e bën atë një tërmet relativisht sipërfaqësor dhe me potencial për të shkaktuar lëkundje të forta në zonat përreth.
Deri tani nuk ka raportime zyrtare për viktima apo dëme materiale, ndërsa autoritetet meksikane kanë nisur verifikimet në terren dhe po monitorojnë zhvillimin e situatës.
Pas tërmetit, Sistemi i Paralajmërimit për Cunami i Shërbimit Kombëtar të Motit të Shteteve të Bashkuara (NOAA) lëshoi paralajmërime për cunami për segmentet bregdetare të Meksikës dhe Guatemalës, pranë zonës ku u regjistrua epiqendra.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të zonave bregdetare të ndjekin udhëzimet e mbrojtjes civile dhe të qëndrojnë të informuar për çdo përditësim, ndërsa vlerësimet për pasojat e tërmetit vijojnë.


