Një grabitje me dhunë është regjistruar mesditën e së premtes në lagjen 16 të Durrësit, ku një person i maskuar ka marrë paratë e xhiros ditore të një dyqani të operatorit telefonik Vodafone.
Sipas informacioneve nga terreni, autori, një i ri rreth 25 vjeç, fillimisht është paraqitur në biznes rreth orës 13:00, duke u shtirur si klient për të vëzhguar ambientin dhe lëvizjet brenda dyqanit.
Rreth një orë e gjysmë më vonë, ai është rikthyer i veshur me rroba të zeza, me kapele dhe syze të errëta për të fshehur identitetin. Pasi ka kërcënuar dy punonjëset që ndodheshin në shërbim, ka marrë xhiron ditore të biznesit, e cila llogaritet në rreth 700 mijë lekë të vjetra.
Pas grabitjes, autori është larguar fillimisht në këmbë për disa metra dhe më pas ka hipur në një taksi, duke synuar të humbiste gjurmët dhe të shmangte identifikimin.
Menjëherë pas ngjarjes, policia mbërriti në vendngjarje dhe nisi hetimet. Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit.
Burime paraprake bëjnë me dije se në qytet janë ngritur postblloqe dhe po vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.


