Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në Itali, ku një shtetas shqiptar 20-vjeçar është plagosur nga karabinierët gjatë një operacioni policor.
Sipas mediave italiane, i riu tentoi të largohej me automjet gjatë një kontrolli rutinë të policisë. Gjatë ndjekjes, forcat e rendit kanë qëlluar me armë zjarri, duke e goditur 20-vjeçarin me dy plumba. Ai është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore nuk është e rëndë.
Ngjarja lidhet me një rast shantazhi, pas një telefonate të marrë nga policia nga një grua, e cila kërkoi ndihmë duke raportuar se djali i saj i mitur po shantazhohej. Sipas saj, autorët i kishin marrë telefonin celular të miturit dhe i kërkonin 1 mijë euro për t’ia kthyer.
Me mbërritjen e patrullës policore në vendngjarje, një nga të dyshuarit dyshohet se ka përplasur me automjet një karabinier dhe më pas është larguar me shpejtësi. Gjatë tentativës për t’u arratisur, karabinierët kanë qëlluar pesë herë me armë zjarri.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.


