Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka bërë të ditur se Ura e Milotit është dëmtuar qëllimisht gjatë natës, duke shkaktuar rrezik për qarkullimin e mjeteve.
Sipas njoftimit zyrtar, institucioni është informuar në orët e para të mëngjesit nga kompania kontraktore e mirëmbajtjes për dëmtimin e urës. Menjëherë pas sinjalizimit, inxhinierët e ARRSH-së janë nisur drejt terrenit për të verifikuar situatën.
Nga kontrolli ka rezultuar se fugat metalike të urës janë dëmtuar si pasojë e një tentative grabitjeje, duke prekur elementë të rëndësishëm të sigurisë së infrastrukturës rrugore.
Rasti i është referuar menjëherë Policia e Shtetit, konkretisht Drejtorisë Vendore të Policisë në Lezhë, për hetime të mëtejshme, pasi përbën njëkohësisht rrezik për jetën e drejtuesve të mjeteve dhe dëmtim të pronës publike.
ARRSH bën me dije se ndërhyrja është kryer menjëherë nga grupet e mirëmbajtjes dhe tashmë dëmtimi është riparuar plotësisht, duke rikthyer qarkullimin normal në Urën e Milotit.


