Një incident është shënuar sot në KZAZ-në nr. 22 në Durrës, ku është konstatuar një parregullsi në një prej kutive të votimit: rezultojnë dy vota më shumë sesa numri i votuesve të regjistruar.
Situata është bërë publike nga kandidatja e Partisë Demokratike, Jola Hysaj, e cila ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të procesit të numërimit dhe rihapjen për rivlerësim të kutisë problematike. Ajo ka theksuar se duhen ndjekur të gjitha procedurat ligjore të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për raste të tilla.
Nga ana tjetër, përfaqësues të Partisë Socialiste kanë kundërshtuar këtë kërkesë, duke insistuar që procesi të vijojë normalisht.
Ngjarja ka shtuar tensionin në qendrën e numërimit dhe ka ngritur pikëpyetje mbi vlefshmërinë e kutisë ku u evidentua parregullsia.


