Edhe në ditën e dytë të Konklavës për zgjedhjen e Papës së ri, vëmendjen e kamerave dhe rrjeteve sociale nuk e mori tymi i bardhë apo i zi, por një pulëbardhë. Ashtu si një ditë më parë, një prej zogjve që zakonisht fluturojnë mbi Vatikan, u ul sërish mbi çatinë e Kapelës Sistine, pranë oxhakut, duke u kthyer në një simbol të papritur të pritjes botërore.
Pamjet direkte të televizioneve, ku pulëbardha qëndronte pa lëvizur pranë oxhakut, mjaftuan që ajo të bëhej sensacion në rrjet. Disa përdorues e “kurorëzuan” me humor si “Papa i ri”, të tjerë e shfaqën me tiarë papale në fotomontazhe apo shkruan me ironi: “Bota po pret një tym të kontrolluar nga një pulëbardhë” ose “Është aktor i kontraktuar për të mbajtur tensionin lart”.

Një ndër imazhet më të shpërndara ishte ajo ku pulëbardha shfaqej së bashku me një tjetër dhe një zogth të vogël pranë oxhakut, duke treguar se edhe në momentet më solemne, Vatikani mund të ofrojë skena të papritura. Ndërsa kardinalët votuan për liderin e ri të Kishës Katolike, pulëbardha e Sistinës shijon famën, krejtësisht e pavetëdijshme se është kthyer në simbolin më të ndjekur të kësaj pritjeje globale.


