Ofensiva e ushtrisë izraelite në jug të Libanit vijon, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur edhe gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të premten u vranë 12 persona, mes tyre edhe një fëmijë, si pasojë e sulmeve izraelite. Tetë prej viktimave dhe 21 të plagosur u regjistruan në fshatin Hamboush, zonë që më herët ishte urdhëruar të evakuohej nga ushtria izraelite, pavarësisht një armëpushimi në fuqi.
Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve raportoi për një valë sulmesh që ndodhën më pak se një orë pas paralajmërimeve për goditje të afërta. Ndërkohë, në fshatin Zrariyah u vranë katër persona dhe u plagosën katër të tjerë.
Sulme ajrore dhe zjarr artilerie janë raportuar edhe në zona të tjera të jugut, përfshirë qytetin e Tirit, megjithëse armëpushimi ka hyrë në fuqi që nga 17 prilli.
Që nga rifillimi i përplasjeve mes Izraelit dhe Hezbollahut më 2 mars, numri i viktimave ka kaluar 2,600 persona, mes tyre edhe 103 punonjës shpëtimi, sipas autoriteteve libaneze.


