Garda Revolucionare e Iranit ka njoftuar se ka shënjestruar një anije në Ngushticën e Hormuzit që, sipas saj, është e lidhur me Izraelin, duke shkaktuar zjarr në bord.
Komanda Detare e Gardës Revolucionare bëri të ditur përmes platformës X se “anija MSC Ishyka, e lidhur me regjimin sionist, ishte objektiv i një sulmi me dron dhe u përfshi nga flakët”.
Sipas burimeve të hapura online, MSC Ishyka është një anije kontejnerësh me flamur liberian. Deri tani nuk ka informacione të detajuara mbi dëmet materiale apo nëse ka persona të lënduar mes ekuipazhit.
Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës, mbetet një pikë kyçe tensioni mes Iranit dhe vendeve perëndimore, me çdo incident që shton shqetësimet për sigurinë energjetike dhe lundrimin ndërkombëtar.


