Një sulm me dron ka goditur pikën kufitare Al-Abdali, në kufirin mes Kuvajtit dhe Irakut, bëri të ditur sot Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit.
Sipas zëdhënësit të ministrisë, incidenti shkaktoi vetëm dëme materiale, ndërsa nuk u raportuan viktima apo persona të plagosur.
Autoritetet kuvajtiane nuk kanë dhënë ende informacion mbi autorët e sulmit. Ndërkohë, Agjencia Irakiane e Lajmeve (INA) njoftoi se, si masë paraprake, pika kufitare u mbyll përkohësisht pas incidentit.
Ngjarja ndodh në një kohë kur tensionet në rajon mbeten të larta pas përshkallëzimit të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Kuvajti, ashtu si disa vende të tjera të Gjirit, strehon trupa amerikane dhe në të kaluarën ka qenë objekt i sulmeve të lidhura me grupet e mbështetura nga Irani.


