Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Rusinë dhe Kinën që të mos i ofrojnë mbështetje ushtarake Iranit, duke thënë se një veprim i tillë do të kishte pasoja të rënda.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump deklaroi se liderët e Rusisë dhe Kinës, Vladimir Putin dhe Xi Jinping, e kanë siguruar se nuk do të ndërmarrin hapa për të ndihmuar ushtarakisht Teheranin.
“Dy vende të mëdha, për të cilat flitet shpesh në lidhje me Iranin, sipas mendimit tim, nuk po marrin pjesë në mbështetjen ushtarake ndaj Teheranit”, shkroi Trump, duke shtuar se nëse kjo do të ndodhte “do të ishte shumë keq për ta dhe nuk do të ishte në interesin e tyre”.
Deklarata e presidentit amerikan vjen pas raportimeve të mediave amerikane për mundësinë që Rusia dhe Kina mund t’i ofrojnë Iranit ndihmë në fushën e inteligjencës apo pajisjeve ushtarake.
Sipas raportimeve, zyrtarë amerikanë kanë ngritur shqetësime se aftësitë e Iranit për të goditur objektiva strategjike mund të jenë forcuar nga ndihma e mundshme e aleatëve të tij.
Më herët, Trump kishte deklaruar se ekzistonte mundësia që presidenti rus Vladimir Putin ta kishte ndihmuar Iranin gjatë konfliktit. I pyetur në një intervistë për “Fox News” nëse Rusia po mbështeste Teheranin, ai u përgjigj se “mund t’i ketë ndihmuar pak”.


