Një studim i ri italian, i publikuar në revistën shkencore European Heart Journal, sugjeron se mikroplastikat mund të jenë të lidhura me rrezikun e shtuar për atak kardiak. Megjithatë, studiuesit theksojnë se deri më tani nuk ka prova që këto grimca plastike janë shkaku i drejtpërdrejtë i sëmundjes.
Sipas hulumtimit, personat që kanë pësuar një atak kardiak kanë më shumë se dyfishin e gjasave të kenë mikroplastikë në gjakun e tyre, krahasuar me individët që vuajnë nga sëmundje kronike të zemrës ose kanë arterie koronare të shëndetshme.
“Mikroplastikat dhe nanoplastikat janë grimca shumë të vogla plastike që gjenden pothuajse kudo në mjedis, përfshirë ajrin që thithim, ujin që pimë dhe ushqimet që konsumojmë”, shpjegon autori kryesor i studimit, Pasquale Paolisso, nga Spitali Universitar “Sant’Andrea” në Romë.
Studimi u realizua nga një ekip studiuesish të Universitetit “La Sapienza” të Romës, Universitetit të Veronës dhe Universitetit të Kampanjës “Luigi Vanvitelli” në Napoli. Në kërkim morën pjesë 61 pacientë që iu nënshtruan angiografisë koronare për shkak të dyshimeve për atak kardiak.
Rezultatet treguan se 84,2% e pacientëve që kishin pësuar atak kardiak kishin prani të mikroplastikës në gjakun e marrë nga arteriet koronare ose enët periferike, një përqindje më shumë se dy herë më e lartë se tek pacientët që nuk kishin përjetuar një ngjarje të tillë.
Lloji më i zakonshëm i plastikës i identifikuar ishte polietileni, material që përdoret gjerësisht në ambalazhe dhe produkte të përditshme.
Studiuesit vunë re gjithashtu se mikroplastika gjendej më shpesh tek personat e ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit dhe tek duhanpirësit. Në veçanti, duhanpirësit kishin rreth gjashtë herë më shumë gjasa të kishin këto grimca në gjakun e tyre.
Sipas profesorit Emanuele Barbato, nga Universiteti “La Sapienza” dhe drejtues i Njësisë së Kardiologjisë në Spitalin Universitar “Sant’Andrea”, pirja e duhanit mund të lehtësojë depërtimin e mikro- dhe nanoplastikave në qarkullimin e gjakut përmes mushkërive, ndërsa një efekt i ngjashëm mund të shkaktohet edhe nga ndotja e ajrit.
Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se gjetjet nuk provojnë një lidhje shkak-pasojë mes mikroplastikës dhe atakut kardiak, por evidentojnë një lidhje të fortë midis ekspozimit ndaj ndotjes mjedisore, pranisë së mikroplastikës në gjak dhe sëmundjeve kardiovaskulare.


