Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka emëruar Friedrich Merz si Kancelar të ri të vendit, pas një procesi të ndërlikuar zgjedhor. Steinmeier ka uruar Merz për emërimin dhe ka dorëzuar çertifikatën e emërimit, ndërsa tani pritet që Merz të betohet në Bundestag për të zyrtarizuar postin e tij.
Merz u zgjodh kancelar në një raund të dytë votimi, ku mori 325 vota pro, pas një raundi të parë ku siguroi vetëm 310 vota, duke mos arritur shumicën e nevojshme prej 316 votash. Ky dështim në raundin e parë ka shënuar një ngjarje të pazakontë në historinë e Bundestagut, pasi asnjë kandidat për kancelar nuk ka dështuar të fitojë pas zgjedhjeve të Bundestagut dhe pas negociatave të suksesshme për një koalicion.
Krerët e partive të koalicionit CDU/CSU dhe SPD, para votimit të dytë, theksuan rëndësinë e këtij procesi, duke e cilësuar si një tregues të aftësisë së shtetit për të vepruar dhe për funksionimin e demokracisë. Sidoqoftë, zëdhënësi i Alternativës për Gjermaninë, Bernd Baumann, komentoi dështimin e Merz në raundin e parë si një tregues të pasigurisë së koalicionit të tij, duke shtuar se kjo “tregon sa i paqëndrueshëm është koalicioni dhe është e kundërta e asaj që i duhet Gjermanisë.”


