Qeveria shqiptare ka miratuar në mbledhjen e fundit Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, një nismë e propozuar nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, që synon integrimin profesional të të rinjve në administratën publike. Programi parashikon trajnim 3-mujor dhe punësim 1-vjeçar me kontratë pune, me synimin për të zhvilluar aftësitë e profesionistëve të rinj dhe për t’i afruar ata me administratën qendrore dhe vendore.
Kush mund të aplikojë?
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave:
Mosha: 21–29 vjeç;
Të diplomuar në një program të ciklit të parë apo të dytë të studimeve universitare;
Të mos kenë qenë pjesë e këtij programi më parë;
Të mos kenë qenë të punësuar më parë në administratën shtetërore (me përjashtim të pozicioneve administrative).
Çfarë përfiton aplikanti?
Gjatë periudhës së praktikës 3-mujore:
Të rinjtë përfitojnë 500 lekë në ditë si kompensim financiar dhe trajtim ushqimor;
Marrin pjesë në një program trajnimi pranë ASPA-s (Shkolla Shqiptare e Administratës Publike);
Programi njihet si vjetërsi pune për aplikimet e ardhshme në administratë.
Sa përzgjidhen për punësim?
Nga 600 të rinj që trajnohen çdo vit, deri në 250 do të përzgjidhen për një kontratë pune 1-vjeçare:
Deri në 200 praktikantë në administratën shtetërore;
Deri në 50 praktikantë në institucione të tjera publike.
Përzgjedhja për punësim do të bëhet nga vetë institucionet, mbi bazën e performancës gjatë praktikës dhe përfundimit me sukses të trajnimit ASPA.
Programi mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit, ndërsa Agjencia Kombëtare e Rinisë është përgjegjëse për pagesat dhe administrimin e fondit.


