Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Tiranë, Taulant Balla, pa nga afër plazhin e Spilles, ku u njoh nga afër me ecurinë e sezonit turistik dhe aktivitetin e operatorëve që ofrojnë shërbime për pushuesit.
Gjatë takimeve me bizneset dhe pushuesit, Balla vlerësoi potencialin turistik të zonës, duke theksuar se Spilleja mbetet një nga destinacionet më tërheqëse të bregdetit shqiptar falë natyrës së paprekur, ujit të pastër dhe mikpritjes së banorëve.
“Dua t’u bëj një thirrje të gjithë pushuesve, qofshin ata vendas apo shqiptarë që jetojnë në trojet shqiptare dhe më gjerë, që këtë verë të zgjedhin Spillen për pushimet e tyre. Këtu gjejnë një bregdet të mrekullueshëm, ujë shumë të pastër dhe një mikpritje të jashtëzakonshme”, u shpreh Balla.
Në zonën e Spilles operojnë rreth 70 subjekte turistike, kryesisht hotele, restorante dhe biznese të tjera shërbimi që kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe në rritjen e ofertës turistike.
Përfaqësuesit vendorë theksuan se pritshmëritë për këtë sezon janë pozitive, ndërsa rezervimet në strukturat akomoduese kanë nisur që në javët e para të verës. Sipas tyre, turizmi mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të zonës.
Gjatë vizitës u fol edhe për projektet infrastrukturore që synojnë përmirësimin e mëtejshëm të kushteve për banorët dhe pushuesit, përfshirë investimet në trajtimin e ujërave të zeza dhe mbrojtjen e mjedisit.


