TIRANË– Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka marrë të pandehur Kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi për aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA e hetimin pasuror.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për 3 vepra penale, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie. Kryemadhi qëndroi rreth 2 orë në ambientet e SPAK, ku iu komunikua edhe akuza.
Ndërkohë pritet që masa t’i komunikohet edhe Ilir Metës.
Deputetja e PL ndodhet në masën detyrim paraqitje, ndërsa Meta, ish-presidenti i Republikës, ish-kryeministër dhe ish-kryetar Kuvendi në arrest me burg prej 21 tetorit të vitit të kaluar. Lidhur me zhvillimet e hetimeve, Meta ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku sulmoi SPAK duke e quajtur hetimin ndaj tij një farsë të tejzgjatur, e duke akuzuar Prokurorinë e Posaçme se është në shërbim të verbër të Edi Ramës.
“Pas farsës kriminale zgjedhore, që nuk mund të ndodhte pa ndihmën e SPAK edhe me rrëmbimin tim në mënyrë kriminale më 21 tetor 2024, siç e panë të gjithë shqiptarët dhe e gjithë bota, përshëndes përfundimin e farsës hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve, të nisur që në dhjetor 2019 nga Altin Dumani. Pres me padurim, nisjen e gjykimit të këtij procesi, i cili do të jetë publik dhe do të faktojë botërisht se SPAK-u që nuk shikon krimin intelektual të inceneratorit që nuk ekziston dhe që lëshon urdhër-arreste fiktive për terroristët zgjedhorë, duke i lajmëruar që të largohen, është vetëm një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës, që me “Task Force” e saj anti-opozitë i dha atij një mandat të paligjshëm vetëm me qëllimin që të garantojnë mandate të përjetshme për veten e tyre. Nga sot ne nisim çmontimin e kësaj farse hetimore e cila kërkon të spostojë vëmendjen nga krimet e tmerrshme zgjedhore, edhe duke porositur titra te mediat e inceneratorëve për publikimin e akuzave që nuk qëndrojnë, kur çdo shqiptar e di se Ilir Meta u rrëmbye në mënyrë kriminale dhe mbahet në izolim ekstrem me zero fakte dhe zero prova penale.Ne do të ballafaqohemi më të gjitha pseudoakuzat e formuluara nga Edi Rama dhe të nënshkruara nga mercenarët e tij. Ne do të ballafaqohemi me të gjithë “dëshmitarët” e prodhuar nga Edi Rama dhe që kanë patur probleme me drejtësinë dhe integritetin e tyre. Jemi të bindur në shpartallimin e plotë të kësaj farse kundër Ilir Metës si President i Partisë së Lirisë, por edhe si ish-President i Republikës, i cili provoi botërisht në Komisionin e Venecias dhe kudo tjetër, shedërrimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota në Ramaformë me 69 vota.”-shkruan Meta./Radar.al


