Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme, GJKKO vendosi të hënën e 25 nëntorit masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno.
Burimet thanë se mbi gazetarin Artan Hoxha rëndon akuza “anëtar i organizatës kriminale”. Më herët, për të u kërkua masa e “arrestit shtëpiak”.
Ndërsa gazetari Elton Qyno akuzohet për korrupsion. Ndaj tij është vendosur masa “detyrim paraqitje”.
Dy gazetarët qëndruan në ambientet e prokurorisë së posaçme për rreth 60 minuta pasditen e të hënës.
Hoxha dhe Qyno dolën nga dyert e SPAK duke mbajtur disa dosje dhe një çantë në duar.
Para se të futeshin në SPAK, ata pohuan se iu ishte bërë një kontroll në banesa gjatë ditës dhe iu ishin sekuestruar telefonat celularë.
“S’na kanë arrestuar akoma”, dëgjohet të thotë Hoxha.


