SPAK dhe BKH kanë intensifikuar hetimet për krimet zgjedhore të ndodhura në Elbasan gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Mëngjesin e së martës, prokurorë të posaçëm dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit zhvilluan një takim pune në Prokurorinë e Elbasanit me drejtuesin Kreshnik Ajazi.
Menjëherë pas takimit, janë ndërmarrë disa kontrolle në lidhje me persona të dyshuar për përfshirje në krime zgjedhore. Një nga kontrollet është kryer në banesën e një biznesmeni në Belsh, ku është gjetur një shumë e konsiderueshme parash. Sipas deklarimeve të vetë biznesmenit, këto para vijnë nga aktiviteti i tij tregtar, por kjo mbetet për t’u verifikuar nga hetuesit.
Gjatë kontrollit, biznesmenit i është sekuestruar telefoni celular, i cili do të analizohen për të zbuluar nëse ka pasur komunikime me kandidatë për deputetë që mund të implikojnë blerje votash.
Po ashtu, në qytetin e Elbasanit janë sekuestruar edhe tre telefona të tjerë, që dyshohet t’u përkasin nëpunësve vendorë. Nuk është ende e qartë nëse këto raste lidhen drejtpërdrejt me njëri-tjetrin, por burime jo zyrtare konfirmojnë se hetimet fokusohen në të njëjtën çështje – krimin elektoral.
SPAK nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi zhvillimet e fundit.


