Një operacion i gjerë ndërkombëtar i zhvilluar mes autoriteteve shqiptare dhe italiane ka goditur një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për vrasje, trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
SPAK, në bashkëpunim me Drejtorinë Anti-Mafia të Barit, ka ekzekutuar urdhërarreste në kuadër të një hetimi të koordinuar me mbështetjen e Eurojust.
Sipas Eurojust, gjatë aksionit të përbashkët janë arrestuar 12 persona, ndërsa janë lëshuar urdhërarreste për 3 të tjerë. Po ashtu, janë sekuestruar rreth 1 milion euro të dyshuara si përfitime nga aktiviteti kriminal.
Hetimi është zhvilluar përmes një Ekipi të Përbashkët Hetimor (JIT) mes SPAK dhe autoriteteve italiane, dhe lidhet me një grup kriminal të strukturuar, i dyshuar për trafik droge në shkallë të gjerë, vrasje dhe pastrim të parave midis Italisë dhe Shqipërisë.
Sipas dosjes hetimore, ngjarja ka nisur nga hetimet për vrasjen e berberit italian 26-vjeçar, Francesco Diviesti, e cila më pas çoi në zbulimin e një rrjeti më të gjerë kriminal të dyshuar të drejtuar nga Igli Kamberi.
Hetimet zbuluan se grupi kriminal dyshohet se merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe me pastrimin e parave, duke transferuar të ardhura kriminale nga Italia drejt Shqipërisë, kryesisht me bazë në Tiranë.
Eurojust thekson se hetimi është rezultat i viteve të bashkëpunimit mes prokurorive të Barit dhe SPAK, të cilat kanë krijuar disa ekipe të përbashkëta hetimore që nga viti 2018.
Në total, ky bashkëpunim ka çuar në më shumë se 170 arrestime ndër vite dhe sekuestrimin e mbi 7 tonëve drogë, përfshirë kokainë, heroinë dhe kanabis.
Sipas autoriteteve italiane, veprimet penale të grupit përfshijnë vrasje me paramendim, tentativë zhvatjeje, mbajtje të paligjshme armësh dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë anëtarët dhe rolin e secilit në rrjet.
Operacioni konsiderohet një nga goditjet më të mëdha të viteve të fundit ndaj rrjeteve kriminale shqiptaro-italiane.


