Një nga personat për të cilët SPAK ka firmosur masë sigurie, bashkë me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, është edhe Pirro Xhixho.
Vajza e tij, deputetja dhe zv/presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka treguar sesi e ka mësuar lajmin për masën “arrest shtëpie” për të atin.
“E shokuar! Por le të sqarojmë që fakti që babai im ka qenë drejtor i AKEP, çdo vendimmarrje e atij bordi ka qenë publik dhe i verifikueshëm. Kam parë menjëherë dosjen e Pirros dhe aty nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë që implikon babanë tim në shkelje të interes tim publik. Unë jam njohur nga mediat për masën.
Ka pasur marrje në pyetje nga SPAK të babait, para 4-5 muaj. Ishin dhënë të gjitha sqarimet. Nga dosja, që është një paçavure, është përpiluar mbi thashetheme, nuk ka prova dhe fakte. Jemi shumë të qetë dhe të bindur për pafajësinë e tij dhe do ta ndjekim ligjërisht”, u shpreh ajo në Top Channel.
Pse e akuzon SPAK Pirro Xhixhon?
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi I. M. në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, M. K. si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.
Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.
Personi nën hetim P. Xh., duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet I. M. dhe M. K., jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Për këto arsye, personat nën hetim I.M. dhe M.K. ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim P. Xh., i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale.


