Avokatët e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, reaguan pas vendimit të SPAK-ut për ta çuar dosjen e tij në gjykatë, duke mohuar kategorikisht çdo akuzë.
Sipas mbrojtjes ligjore, në kërkesën për gjykim nuk provohet asnjë lidhje mes detyrës së Veliajt dhe ndonjë përfitimi të paligjshëm për subjekte private, as ndonjë abuzim me funksionin publik, dhe mbi të gjitha – “asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument”.
Avokatët akuzojnë SPAK-un se ka cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë me deklarata publike që synojnë paragjykimin e kryebashkiakut në opinion dhe në gjykatë. Ata e cilësojnë procesin si të nisur mbi një kallëzim anonim e të falsifikuar, me shkelje të rënda procedurale, hetime pa autorizim gjykate dhe afate të tejkaluara.
“Veliajt i është vendosur një masë sigurie e jashtëzakonshme dhe krejtësisht disproporcionale, ndonëse ai është në ushtrim të mandatit kushtetues si kryetar i zgjedhur i Tiranës me votën e 160 mijë qytetarëve”, theksojnë avokatët.
Ata shtojnë se do të çmontojnë “rresht pas rreshti” çdo pretendim të ngritur nga SPAK, jo vetëm për të mbrojtur klientin e tyre, por edhe “për të ruajtur besimin e qytetarëve te drejtësia dhe rendi kushtetues”.


