FIFA ka shpjeguar rreth katër orë pas ndeshjes Katar-Zvicër, episodin më të diskutueshëm të ndeshjes. Faji i është lënë një “ndërprerje teknike”, për polemikat që lindën pas akordimit të penalltisë për Zvicrën. Ishte një faull ndaj Freuler në zonë, të cilin Embolo e ktheu në gol.
Për rastin në fjalë u dyshua se kishte pozicion jashtë loje në nisjen e aksionit. Dhe pse nuk u shfaqën pamjet e zakonshme 3D, duke lënë në ajër interpretimin, FIFA tregon se lojtari i Zvicrës ishte në pozicion të rregullt. Për më tepër duke postuar pamjet.
“Gjatë ndeshjes Katar – Zvicër në “San Francisco Bay Area”, një ndërprerje e shkurtër teknike bëri që grafika e animuar që konfirmon pozicionin e rregullt të lojtarëve të mos gjenerohej përpara penalltisë së akorduar për Zvicrën në minutën e 14-të. Problemi u zgjidh shpejt.
Procesi i punës së sistemit VAR nuk u ndikua nga ky problem dhe ndoqi procedurën normale për verifikimin e vendimit të marrë në fushë. Vijat e përdorura nga VAR-i për të kontrolluar pozicionin e lojtarëve përkatës nuk treguan se lojtari sulmues ishte në pozicion jashtë loje në asnjërën prej dy situatave që ndodhën menjëherë përpara vendimit për penallti”.


