Jeff Bezos i ka bërë një dhuratë marramendëse së fejuarës së tij, Lauren Sánchez, për dasmën e tyre që pritet të mbahet këtë fundjavë në Venecia. Sipas një burimi për Page Six, themeluesi i Amazon i ka dhuruar partneres një gjerdan luksoz me diamantë, me vlerë që llogaritet mes 3 deri në 5 milionë dollarë.
Burimi përshkruan bizhuterinë si një gjerdan që “rrethon qafën e saj me një diamant të madh në qendër, i shoqëruar me vathë të koordinuar”. Pritet që Sánchez t’i mbajë këto bizhuteri të reja gjatë ceremonive të dasmës në qytetin italian.
Kjo nuk është hera e parë që Bezos i dhuron bizhuteri të çmuara partneres së tij – unaza e fejesës, me një diamant rreth 20 karatësh, është vlerësuar në rreth 2.5 milionë dollarë.
“Nuk do ta humbisni dot këtë gjerdan – është thuajse po aq i madh sa superjahti i Jeff-it,” shtoi burimi me humor, duke theksuar se bizhuteritë e reja e çojnë koleksionin e Sánchez në një tjetër nivel.
Dasma, që po cilësohet nga mediat si “dasma e shekullit”, pritet të mbahet sot në Venecia, me prani të figurave të njohura nga bota e biznesit, artit dhe politikës.


