Përgatitjet për dasmën madhështore të Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez në Venecia po përballen me sfida të papritura. Ceremonia, e planifikuar për 27 qershor, po shoqërohet nga protesta dhe tensione që kanë detyruar çiftin të rishikojnë planet për vendndodhjen e festimeve.
Fillimisht, darka madhështore e së shtunës ishte planifikuar në Scuola Grande della Misericordia, por për shkak të protestave të planifikuara nga vendasit të irrituar për “pushtimin e qytetit” dhe përmasën e eventit, ajo është zhvendosur në një ambient më të kontrollueshëm në lagjen Arsenale.
Il Gazzettino raporton se autoritetet lokale, policia dhe ekipet e sigurisë do të zhvillojnë një takim të posaçëm për masat e sigurisë. Përveç pakënaqësive sociale, po merren parasysh edhe rreziqet e tensioneve ndërkombëtare mes SHBA-së dhe Iranit, pasi baza ajrore amerikane e Aviano ndodhet vetëm 80 kilometra larg Venecias.

Protestat kundër dasmës kanë marrë edhe dimension ndërkombëtar. Aktivistët e Greenpeace shpalosën një banderolë gjigante në Sheshin e Shën Markut me fytyrën e Bezos dhe mesazhin ironik: “Nëse mund të marrësh me qira Venecian për dasmën tënde, mund të paguash më shumë taksa”. Edhe grupi britanik “Everybody Hates Elon” u bashkua në protestë, duke kritikuar modelin ekonomik që përfaqësojnë miliarderët dhe ndikimin e tyre në krizën klimatike dhe sociale.
Megjithatë, autoritetet veneciane përpiqen ta paraqesin dasmën si një mundësi për imazhin e qytetit. “Venecia është krenare të presë ngjarje të tilla prestigjioze, që konfirmojnë tërheqjen ndërkombëtare të qytetit,” u shpreh Simone Venturini nga Bordi Turistik i Venecias. Ai theksoi gjithashtu donacionet bujare që Bezos dhe Sanchez kanë bërë për ruajtjen e qytetit.


