Kohët e fundit me mijëra qytetarë shqiptar kanë bërë ankesat e tyre se nuk po marrin pakot me porosi që kanë bërë pranë kompanisë ndërkombëtare AliEkspress.
Ndonëse qytetarët e kanë bërë pagesën online për porosinë e tyre, pakoja nuk ju ka ardhur për shkak se kompanitë postare private në vend nuk ua ka dorëzuar atë.
Deri para dy muajsh shërbimin postar për porositë nga “Ali Ekspress” e kishte “Posta Shqiptare“, e cila tashmë siç vetë Posta thotë nuk e ofron më këtë shërbim pasi atë e “morën në dorë” privati.
Në këtë “rrëmujë” përfshihen kompania Albania Courier dhe Ultra C.E.P, të cilat tashmë ofrojnë shërbimin e shpërndarjes së pakove tek qytetarët që bëjnë blerjet e tyre në platformën Ali Express.
Albanian Courier sqaron për Report TV ekziston vetëm një sasi e vogël pakosh që nuk janë shpërndarë për shkak të dhënave të pasakta të porositësve/qytetarëve.
“Aktualisht Albanian Courier nuk ka dërgesa të AliExpress që ka krijuar ose po krijon vonesa, përveç një sasie shumë të vogël e cila ka mbetur pa shpërndarë për problematika me adresat ose kontaktet e gabuara nga klientët kur kane kryer porosite e tyre online dhe që po sqarohen për informacione të sakta”, përgjigjet kompania administratori i Albanian Courier.
Mbi këtë problematikë Report TV u interesua edhe pranë Drejtorisë së Doganës, e cila thotë se nuk ka pako të pazhdoganuara nga Ali Express, por situata problematika me vonesa po ndodh për shkak se shërbimi i transportit po kalon nga Albania Courier tek postat tjetër Ultra C.E.P.
Administratori i postës Albanian Courier, Geri Piranjani, në përgjigje të Report TV, fajin e pason tek operatorë të tjerë në treg përfshirë edhe Postën Shqiptare, që sipas tij ka kontraktuar AliExpress.
“Vonesat aktuale vijnë si rezultat i përdorimit të operatorëve postar të tjerë privat nga AliExpres. Si dhe ne dijeninë tonë Posta Shqiptare vijon të marre porosi ende nga AliExpress. Për me tej si do vijohet nuk kemi informacione konkrete, pasi ky është vendim i vetë tregtarit E-Commerce”, vijon përgjigja e Piranjanit.
I pyetur nëse aktualisht kanë një kontratë me Ali Express për shërbimin e shpërndarjes së pakove Piranjani thotë se “Albanian Courier është nder operatoret kryesore te përzgjedhur prej AliExpress”.
Me kompaninë tjetër Ultra C.E.P, që po ashtu së fundmi ka nisur shpërndarjen e pakove që vijnë nga jashtë, por askush nuk përgjigjet, duke e bërë të pamundur informimin e qytetarëve, dhe duke mos lënë asnjë akses për klientët, të cilët presin të tërheqin produktet e blear.
Postat private ndryshe nga Posta Shqiptare nuk lajmërojnë klientët me një mesazh që pako e tyre ka ardhur, duke i lënë ata në pritje pa një afat të caktuar kohor.
Ndërkohë që qytetarët shprehën ankesa edhe me gjurmimin e porosive pasi kodet e porosive të bëra në Ali Express nuk dalin në faqen e postave.
“Kjo vërteton që këto dërgesa nuk kanë ardhur në Shqipëri për tu shpërndarë me postën Albanian Courier. Nëse kodi dërgesës klientit nuk del në faqen ëeb te Albanian Courier atëherë kjo dërgesë është sjellë për t’u shpërndarë ose me posten shqiptare ose me operatore tjetër postar privat, Ultra post, etj.”, thotë administratori Albanian Courier.
Në kushtet kur postat deklarojnë pafajësinë e tyre dhe e kalojnë përgjegjësinë tek konkurrentët, qytetarët që shpenzojnë lekët në këto porosi mbetën pa një përgjigje për produktet që kanë paguar.


