Në Delvinë është zbuluar një termocentral për prodhimin e energjisë me gaz që po ndërtohej pa lejen e autoriteteve në një pronë publike, duke çuar në një aksion të gjerë policor dhe hetim penal. Objekti, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 2 mijë metrash katrorë, rezulton të jetë projekt i kompanisë “Delvina Gas” në pronësi të biznesmenit Sokol Meqemeja, një emër i njohur në tregun shqiptar si importues ekskluziv i produkteve “Wudy” dhe i markës së pulave “AIA”.
Policia shpalli në kërkim Meqemejën, 56 vjeç, si dhe administratorin e kompanisë së gazit, Juglerd Ibrahimi, 36 vjeç, nën akuzat për “ndërtim të paligjshëm” dhe “pushtim të tokës”. Ndërkohë, dy inxhinierë të përfshirë në kantier, Elton Malkaj, 31 vjeç, përgjegjës i impiantit të gazit dhe Luan Metaj, 53 vjeç, përgjegjës i punimeve, u arrestuan në flagrancë për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Inspektorati i Mjedisit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, bllokuan punimet, pasi toka ku po ndërtohej TEC-i rezulton pronë publike pranë Manastirit të Kamesos në Kakodhiq. Për më tepër, sipas autoriteteve dhe banorëve të zonës, kantieri kishte bllokuar edhe rrugën e vjetër që të çonte drejt Manastirit, duke nxitur ankesa të shumta në komunitet.
Hetimet zbuluan se kompania “Delvina Gas”, e regjistruar në Shqipëri si degë e një shoqërie me seli në Ishujt Virxhin Britanikë, operon prej disa vitesh në fushën e përpunimit të gazit natyror, me impiante aktive në të njëjtin territor. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Sokol Meqemeja zotëron 90% të kapitalit përmes një strukture kompanish që lidhen me emrin e tij, ndërsa kompania është e regjistruar ligjërisht jashtë vendit që prej vitit 2016.
Emri i Meqemejës nuk lidhet vetëm me industrinë e mishit dhe të gazit, por edhe me dosjen e bujshme të inceneratorëve. SPAK e ka përfshirë atë në hetimin për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, duke e akuzuar si një nga biznesmenët që përmes një skeme shitjesh fiktive apartamentesh, i ka kaluar Ahmetajt 140 mijë euro si shpërblim për projektin e inceneratorit të Fierit.
Autoritetet po hetojnë jo vetëm ndërtimin pa leje të TEC-it dhe pushtimin e tokës publike, por edhe strukturën e pronësisë së “Delvina Gas” dhe lidhjet e saj financiare. Hetimet pritet të përfshijnë edhe aktivitetin e impianteve të tjera të kompanisë dhe mënyrën se si është përdorur toka publike gjatë viteve.


