Deklarata e gazetares Alma Çupi përgjatë një diskutimi në emisionin “Opinion” ka ngjallur debat nëpër rrjet. Teksa listonte pakënaqësitë e saj ndaj turizmit në Shqipëri, veçanërisht gjatë këtij sezoni në jug të vendit, Çupi u shpreh:
“Në çdo vend të botës ka plazh privat, plazh publik, plazh privat… ti nuk mund të më detyrosh mua që plazhin publik ta kem atje në të… si jevgjit”.
Kjo deklaratë është marrë si një ofendim për komunitetin rom dhe egjiptian, e për pasojë gazetarja është detyruar që të kërkoj ndjesë në lidhje me gjuhën e përdorur.
“Kërkoj ndjesë publike ku distancohem nga përdorimi i një fjale, e cila paragjykon haptazi dhe prek dinjitetin e personave të komunitetit rom dhe egjiptian. Nuk ka qenë qëllim fyerja dhe as diskriminimi. Unë si gazetare kam promovuar çdo komunitet për vlerat që kanë sjellë në turizëm dhe sidomos komunitetin rom dhe egjiptian”, reagoi gazetarja.
Por, Rike Roçi ka reaguar ashpër duke kërkuar që shprehje të tilla raciste duhet të ndalojnë.
“Njerëz që bëjnë si të kulturuar dhe në të vërtetë janë akoma injorantë. Boll me shprehje ofenduese, diskriminuese dhe raciste… nuk janë shprehje normale. Mos e kërkoni në Instagram se e mbylli nga turpi… Zonja gazetare e historisë… Se kur dilni jashtë Shqipërisë thoni nuk na duan, janë racistë për ne shqiptarët, ndërkohë jeni të parët që bëni diskriminim… nuk ka raca, por ka njerëz”, shkroi Rike.



