Një konflikt i hapur ka shpërthyer mes Shtëpisë Botuese “Onufri” dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pas një nisme publike për shpërndarjen e librave në shkollat e mesme të qytetit.
Në një deklaratë të fortë për mediat, “Onufri” – e vetmja shtëpi botuese me të drejta ekskluzive për botimin e veprave të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare – akuzon Kasamin për shpërndarjen publike të librave të vjedhur, duke theksuar se bëhet fjalë për pirateri të mirëfilltë letrare.
“Kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, u shet me ceremoni nxënësve librat e vjedhur të Kadaresë,” thuhet në deklaratën zyrtare të “Onufrit”.
“Të hënën do të depozitojmë një kallëzim penal për pirateri në Gjykatën e Tetovës”, paralajmëron shtëpia botuese, duke nënvizuar se mbrojtja e të drejtave autoriale është ligjore dhe morale.

Ndërkohë, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, në një postim në rrjetet sociale, e ka cilësuar shpërndarjen e librave si një akt investimi në të ardhmen e nxënësve dhe një hap drejt barazisë në arsim. Ai theksoi se u shpërndanë 4450 lektyra shkollore nga 62 tituj të ndryshëm, në pesë shkolla të mesme të qytetit, si pjesë e programit mësimor të miratuar.
“Kjo nuk është thjesht një shpërndarje librash, por një investim në dijen, në rininë, në të ardhmen,” – shkroi Kasami.
“Tetova që duam ndërtohet me libra, me dije dhe me dashuri për brezat që vijnë.”
“Sa bukur kur puna flet vetë!
Sot ishim në bibliotekat e 5 shkollave të mesme të Tetovës, ku shpërndamë plot 4450 lektyra shkollore nga 62 tituj të ndryshëm që nxënësit tanë duhet të lexojnë gjatë vitit, të cilat janë pjesë e programit mësimor.
Kjo nuk është thjesht një shpërndarje librash, kjo është një investim në dijen, në rininë, në të ardhmen! Sepse besojmë fort se çdo nxënës duhet të ketë mundësi të barabartë për të lexuar, mësuar dhe ëndërruar më shumë!
Kur duam, bëhet! Kur punojmë, ndryshon!
Faleminderit stafit, drejtorëve të shkollave dhe gjithë ekipit që nuk ndalet kurrë! Tetova që duam, ndërtohet me libra, me dije dhe me dashuri për brezat që vijnë! Vazhdojmë!”, shkruan Kasami.

Ky rast risjell në vëmendje debatin e vjetër mbi piraterinë e botimeve në gjuhën shqipe, mungesën e kontrollit mbi qarkullimin e materialeve shkollore dhe sfidat e respektimit të së drejtës së autorit në hapësirën shqiptare.





