Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në qytetin Dietikon të kantonit të Cyrihut, ku një shtetas kosovar 43-vjeçar është goditur për vdekje me thikë në banesën e tij. Viktima arriti të njoftonte vetë policinë pak pas orës 23:00, por pavarësisht mbërritjes së menjëhershme të forcave të rendit dhe mjekëve të urgjencës, ai ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda.
Autoritetet zvicerane bëjnë me dije se si i dyshuar për krimin është një burrë 56-vjeçar me origjinë nga Uganda, i cili u arrestua pak më vonë në stacionin e trenit në Dietikon. Identiteti i tij nuk është bërë publik, ndërsa motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë.
Policia kantonale e Cyrihut dhe Zyra e Prokurorit Publik për Krime të Dhunshme kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e sakta të vrasjes. Në vendngjarje kanë ndërhyrë gjithashtu shërbimet e shpëtimit, mjekët ligjorë dhe forcat speciale hetimore.
Autoritetet zvicerane pritet të publikojnë më shumë detaje në ditët në vijim.


